06 May 2013

Ora 00:00 afati i fundit per regjistrim


Kur mungojnë edhe pak ore nga prezantimi i emrave zyrtarë, PD e PS kanë vendosur pjesën më të madhe të kandidatëve për deputetë, të cilët do të përbëjnë listën që pas pak oresh do të regjistrohet në KQZ. Partitë kryesore PD e PS kanë mbyllur pothuajse listat e kandidatëve për deputetë. Edhe pse mbeten shumë pak orë deri në orën 00:00, të ditës së sotme, nga përfundimi i afatit për dorëzimin e listave në KQZ, ende mbetet ndonjë emër i pafiksuar si nga PS ashtu edhe nga PD. Burimet nga të dyja partitë bëjnë të ditur se ka pasur emra që janë shënuar dhe janë hequr nga listat disa herë gjatë kësaj jave dhe po kështu ka ndodhur edhe në orët e vona të ditës së djeshme. Kështu, në selinë e PS-së problemi i kryetarit Edi Rama ka qenë përcaktimi i emrit të nënkryetarit të grupit, Erjon Braçe. Ai i ka ofruar kandidimin në Fier dhe në Tiranë, por Braçe nuk ka pranuar të largohet nga Berati. Ndërkohë është fiksuar emri i Arben Malajt në Vlorë, ndërsa ai i Namik Dokles në Tiranë e pikërisht në Krujë, në vend të Eglantina Gjermenit, e cila konkurron këtë herë në listën e Fierit. Burimet nga PS konfirmuan dje se nuk bëhet fjalë për përfshirjen në këto lista të emrave të njohur nga LSI, por bëhet fjalë për dy-tre emra, jo të njohur mirëfilli si aktivistë të LSIsë. Deri mbrëmë vonë është diskutuar për futjen në listë të këngëtares Besa Kokëdhima ose të Brixhida Kokëdhimës, në listën e kandidatëve të Vlorës. Vetë kryetari socialist, Edi Rama ka përcaktuar tashmë kandidimin si i pari në listën e Vlorës. Nga ana tjetër, të njëjtat burime thanë se dje janë thirrur nga kryetari i PS-së disa nga deputetët që nuk do të rikandidojnë. Kështu, Marko Bello ka mësuar dje që nuk do të jetë në listë, Eltar Deda, deputeti i Vlorës gjithashtu. Ndër emrat që nuk do të jenë më në listë janë edhe Shega Ligori, Alfred Dalipi, Pirro Lutaj, Agim Leka, Skënder Hasa, Ilir Bejtja, por edhe Arben Isaraj. Ishte parashikuar që deputetët të prezantoheshin sot, në një konventë në Pallatin e Kongreseve, por nuk ka pasur asnjë lajmërim dje për një aktivitet të tillë. Ndërkohë pritet që para dërgimit të emrave në KQZ, Rama t'i konsultojë edhe me kryesinë e partisë.
Tashmë edhe kryeministri e njëherësh kreu i PD-së, Sali Berisha ka fiksuar shumicën e kandidatëve të listës së koalicionit të djathtë. Ai konfirmoi se vetë do të kryesojë listën e qarkut të Tiranës, ndërkohë që u përcaktuan edhe pjesëmarrja e 3 deputetëve socialistë, Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli e Asllan Dogjani në listat e PD, përkatësisht në qarqet e Tiranës, Lezhës e Kukësit. Ndërkaq, Topalli do të kryesojë listën e Shkodrës, Olldashi në Fier e Bode në Korçë. Ai që deklaroi publikisht largimin, një ditë më parë ishte anëtari i Këshillit Kombëtar, Besnik Jaku, që akuzoi lidershipin e Partisë Demokratike për mosfunksionim të strukturave drejtuese të partisë, marrjen peng të saj nga një grup i caktuar njerëzish dhe mostransparencë në vendimet politike, duke përfshirë edhe listat e zgjedhësve. Burime brenda PD-së bëjnë të ditur se Eduard Selami do të kandidojë në njësinë nr. 2 dhe prej ditësh ai ka filluar takimet me zgjedhësit kryeqytetas. Një tjetër prurje e re në listën e demokratëve është kandidimi në zonën e 'Kombinatit' të ish-kreut të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili edhe ai ka nisur fushatën elektorale në kryeqytet. Nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku, është një tjetër emër i ri për PD-në, e cila do të kandidojë një njësinë elektorale nr.8. Po ashtu mësohet se në Tiranë do të rikthehet për të kandiduar edhe deputeti aktual i qarkut të Lezhës, Edi Paloka. Gjithsesi, sot konfirmohen edhe zyrtarisht të gjithë kandidatët për deputetë të kampeve kryesore politike.

No comments:

Post a Comment