25 February 2013

Raporti,104 raste diskriminimi ne 2012


Gjatë vitit 2012, qytetarët kanë denoncuar në 90 raste diskriminimin në punë apo shoqëri pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Institucioni ka depozituar pak ditë më parë raportin vjetor në Kuvend, ku vihet re rritja me gjashtë herë e numrit të denoncimeve nga publiku.
“Në periudhën nga 1 janari 2012 deri në 31 dhjetor 2012, pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi janë paraqitur 90 ankesa, si dhe janë trajtuar 14 çështje të iniciuara kryesisht nga zyra e Komisionerit. Gjithashtu ka mbaruar procedura për shqyrtimin e 3 ankesave të mbartura nga viti 2011. Gjithsej kanë filluar procedurat për shqyrtimin e 107 çështjeve për diskriminim”, thuhet në raportin e Komisionerit.
Në listën e llojeve të diskriminimit, denoncimet më të shumta kanë ardhur nga personat me aftësi të kufizuara. Janë 19 qytetarë që kanë raportuar te ky institucion për mungesën e infrastrukturës në disa vende publike. Sipas Komisionit, nga këto ankesa 2 nuk janë pranuar, për shkak se nuk përmbushin kriteret ligjore, për 14 ankesa vazhdojnë procedurat, ndërsa për 2 të tjera është marrë vendim ku është konstatuar mosdiskriminimi. Në shtatë raste, qytetarët ose shoqatat kanë raportuar diskriminim për shkak të orientimit të tyre seksual.

No comments:

Post a Comment