19 February 2013

Hormovitet:Greket te kerkojne falje per masakrat
















Duket se procesi i zhvarrimeve të ështrave të ushtarëve grekë të vrarë në luftën Italo-Greke në zonën e jugut gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk do kalojë aq lehtë. Një prej pikave ku parashikohet të gërmohet në bazë të një marrëveshje dypalëshe mes qeverisë shqiptare dhe asaj helene, është edhe fshati Hormovë ne Tepelene. Banorët e këtij fshati malor, nuk kanë qëndruar edhe aq indiferent, karshi veprimeve që priten të ndërmerren për zhvarrimin e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë përplasjeve të armatosura me ushtrinë italiane, në vitet-1940-1941. Në parim, ata janë shprehur pro një nisme të tillë pasi cdokush ka të drejtën të gjejë eshtrat e ushtarëve, civilëve dhe personave të tjerë të vrarë, por kjo të kryhet në vendet ku realisht kanë rënë. Për banorët e Hormovës, ushtarët grekë, mbahen mend për masakrën që kanë kryer në Luftën e Parë Botërore në 1914 kur nga ky fshat, janë masakruar nga bajonetat e tyre, 219 burra si dhe dhjetëra të tjerë jo banorë të zonës.
Madje gjurmët e kësaj masakre, kanë qenë aq të thella, saqë banorët e parë hormovitë, ngritën një lapidar i cili edhe sot e kësaj dite, është vend peligrinazhi që përkujton ngjarjen e dhimbshme. Sejko Cako banor 70 vjecar i Hormovës, rrëfen për TV channel 7, mënyrën sesi janë egzekutuar hormovitët nga ushtarët grekë gati 1 shekull më parë. Procesi i zhvarrimit të eshtrave, mendohet se do të ketë probleme në Hormovë, kjo dhe për shkak të reagimeve nga disa prej banorëve. Për këtë cështje, nuk ka dashur të shprehet kryeplaku i fshatit Agim Ziflaj, ndërkohë që kreu i Komunës Qendër Tepelenë, pranon se në bazë të marrëveshjes mes dy shteteve, pritet që zhvarrimi i eshtrave, të kryhet në një afat të përshtatshëm. Vetë kryekomunari, e ka quajtur situatë të sikletshme zhvarrimin e eshtrave të ushtarëve grekë në fshatin Hormovë, pasi banorët e tij, kanë mbajtur një qëndrim jo fort mbështetës. Megjithatë, procesi i zhvarrimeve, pritet të ndërmerret mjaft shpejt, ndërsa do të shihet nëse hormovitët, do ta kundërshtojnë ashtu sic deklarojnë.

No comments:

Post a Comment